Afro 100 shtëpi janë djegur plotësisht, pas shpërthimit të vullkanit në ishullin spanjoll të La Palmas.
Që prej shpërthimit pasditen e të dielës vullkani “Cumbre Vieja” vazhdon të lëshojë shtëllunga tymi e llavë, duke shkaktuar dëme të mëdha në dy fshatrat aty pranë. Të paktën 5 mijë njerëz janë detyruar të largohen nga zona, ndërsa rrugët janë të bllokuara.
Zjarrfikësit po luftojnë me zjarret e shkaktuara nga shpërthimi, ndërsa një re e madhe hiri ka mbuluar ishullin. Gjithashtu shume fluturime janë anuluar.
Llava e zjarrte pritet të zbresë drejt zonave të banuara dhe pyjore përpara se të mbërrijë në bregdet. Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez anuloi udhëtimin e tij në Nju Jork për të vizituar ishullin.
Për herë të fundit vullkani kishte shpërthyer 50 vjet më parë, ndërsa autoritetet kishin paralajmëruar riaktivizimin e tij pas aktivitetit të shtuar sizmik.