Zbardhet vrasja e Xhuljano Bullarit në fshatin Babicë e Madhe të Vlorës në datën 20 gusht.
Vihet në pranga autori i dyshuar i ngjarjes dhe gjendet arma me të cilët dyshohet se është kryer vrasja e 25 vjecarit Xhuljano Bullari.
Policia arrestoi në zonën e “Bllokut”, Tiranë, shtetasin Bledar Selmanaj, 39 vjeç, banues në Vlorë.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar në momentin e arrestimit, këtij shtetasi iu gjetën dhe iu sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë me 1 krehër me 10 fishekë, 1 aparat celular dhe një shumë parash.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Bledar Selmanaj, në lagjen “15 Tetori”, Vlorë, është gjetur e groposur në oborrin e banesës së tij, një armë zjarri pistoletë me një krehër me 9 fishekë, me të cilën dyshohet se 39-vjeçari ka kryer vrasjen. Po ashtu janë sekuestruar edhe disa veshje, të cilat dyshohen se janë përdorur nga autori gjatë vrasjes, si dhe 1 aparat celular.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se autori i dyshuar, shtetasi Bledar Selmanaj kishte njohje të mëparshme me viktimën, të cilin dyshohet se e ka vrarë për motive të dobëta, me armë zjarri, mbrëmjen e datës 20 gusht.