
Në Shtetet e Bashkuara është përforcuar thirrja që edhe gratë shtatzëna të vaksinohen. Drejtoresha e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Roshelë Valenski ka ndarë të dhënat që janë marrë deri më tani nga studimet, sipas të cilave vetëm rreth 23 për qind e grave shtatzëna kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës.
Valenski thekson se kjo shifër është tejet e ulët në kushtet kur nënat e ardhshme mund të përballen me rrezikun e komplikimeve të shtatzanisë nga koronavirusi, përfshirë edhe abortin.
ROCHELLE WALENSKY
SHEFE E QKPS, SHBA
“Vaksinat janë të sigurta dhe efektive. Kurrë nuk ka pasur më shumë urgjencë për vaksinim pasi po përballemi me variantin Delta, i cili është shumë më i transmetueshëm dhe po shohim rezultate të rënda nga COVID-19 tek gratë shtatzëna të pavaksinuara”.
Edhe Organziata Botërore e Shëndetësisë rekomandon vaksinimin për gratë shtatzëna, për ato që e planifikojnë apo për nënat që ushqejnë fëmijën me gji.
Ekspertët thonë se nga përvoja e vaksinimit të dhjetëra mijëra grave në botë dëshmohet se vaksinimet janë të sigurta për to dhe se kur jepen gjatë shtatzënisë mund të ofrojnë njëfarë mbrojtjeje për të sapolindurit.