Situata e rënduar në Karaburun e Dukat për shkak të zjarreve ka mobilizuar pas gati 11 ditësh Komitetin e Mbrojtjes Civile. Në orët e vona të së hënës u zhvillua një mbledhje online, në përfundim të së cilës u vendos që me çdo kusht të mbrohet Parku i Llogarasë nga flakët.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi për mediat se këtë të martë në terren për të punuar për shuarjen e flakëve do të jenë tre helikopterë. Po ashtu, ai shtoi se do të ketë edhe më shumë efektivë të Forcave të Armatosura në krye të detyrës.
“Tani që flasim vatra më serioze është ajo e Karaburunit. Kemi arritur të shmangim avancimin e zjarreve drejt bazës së Pashalimanit, dhjetera efektivë të FA kanë punuar aty sot së bashku me forcat nga pushteti vendor. Por shqetësimi i fundit të cilin e kemi diskutuar edhe në hartë së bashku me komandantin e Forcës Mbështetëse për Mbrojtjen Civile dhe me kolegë të tjerë dhe më Prëfektin është shqetësimi i vatrës së zjarrit mbi Dukat sepse ne jemi akoma rreth dy kilometra larg parkut të Llogarasë. Ne duam të shmangim me çdo kusht shtrirjen e zjarrit në këtë park. Jemi duke parë edhe mundesinë e metodave teknike apo inteligjente për shmangien e përhapjes së zjarrit, kemi konsideruar shtimin e forcave tokësore dhe nesër do të kemi një shumëfishim të efektivëve të Forcave te Armatosura. . Do të përdorim edhe nesër gjatë ditës helikopterë nga operatorë të tjerë veç mjeteve që kemi ne në dispozicion dhe shpresojmë që gjatë ditës së nesërme, besoj do të jenë tre helikopterë në përdorim deri pasditen e vonë. Por nuk është se helikopterët janë zgjidhja përfundimtare. Së pari që në orët e para të mëngjesit, komandanti bashkë me trupat e tij ne 4:00 të mëngjesit do të niset drejt zonës së pyllit mbi Dukat, do të ecin 4-5 orë aty ku është vatra dhe për të parë se cilat metoda janë më të përshtatshme për t’u aplikuar për shmangien e përhapjes së zjarrit drejt Parkut të Llogarasë, që nuk duhet të lëjohet me asnjë mënyrë”, tha Peleshi.
Një tjetër vendim gjatë mbledhjes ishte që strukturat të përdorin jo vetëm burimet financiare që kanë në dispozicion, por edhe të shihet mundësia që të kërkohet ndihmë nga operatorët privatë apo vendet fqinje. Për këta të fundit, ministri deklaroi se ndihma është e pamundur, duke marrë parasysh situatën në të cilën ndodhen.
“Kemi diskutuar dhe marrë vendim, të cilin po e them tani për herë të parë, që t’i japim mundësi strukturave tona dhe konkretisht Agjensisë Kombëtare te Mbrojtjes Civile të përdorë jo vetëm burimet financiare dhe forcat e institucioneve që kanë në varësi, por edhe burime financiare shtesë për të marrë shërbim nëse do të jetë e nevojshme nga shtetet fqinj, nga operatorët privatë, nga të gjithë kapacitëeet që janë në dispozicion. Lajmi jo shumë i mirë është që nuk është se ka shumë kapacitete në dispozicion nga vendet fqinje sepse janë përfshirë në emergjenca shumë më të rënda se tonat, kam parasysh Turqinë, Greqinë, Italinë, Kroacinë. Sot kam folur me ministren e Mbrojtjes së Kroacisë para dy orësh, kam kërkuar mbështetjen me hidroplan, nuk kanë patur mundësi të na përgjigjen menjëherë, por gjithsesi jemi në radhë për t’i përdorur sapo të lirohet një kapacitet.”
Kurse Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes. Civile Haki Çako në mbledhjen online kërkoi maksimizim të bashkëpunimit ndërinstitucional në këtë situatë. Çako informoi se aktualisht në vend janë 3 vatra zjarri efektive. Ai kërkoi nga policia të vendosen para përgjegjësisë personat, një pjesë e të cilëve janë identifikuar si autorë të zjarrvënieve.