Ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim ishte e pranishme këtë të mërkurë në pikën kufitare të Kakavijës, nga ku deklaroi se mbrojtja e kufijve nga kontrabanda është e rëndësishme për sigurinë rajonale dhe sovranitetin kombëtar.
Ky takim, u zhvillua në kuadër të dhurimit të pajisjeve nga SHBA-të për Policinë e Shtetit për Programin e Kontrollit të Eksporteve dhe Sigurisë së Kufirit.
Diplomatja u prit nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi. Gjatë fjalës së saj, Kim shprehu lumturinë që pas saj shikon të valëvitur tre flamuj, atë të Shqipërisë, SHBA-ve dhe të Greqisë.
“Jam shumë e lumtur që ndodhem këtu. Kam qenë drejtoreshë e zyrës përgjegjëse për çështjet e mesdheut Lindor që përfshinin edhe Greqinë, është kënaqësi të shoh flamurin e SHBA, Shqipërisë dhe Greqisë të valëviten pas meje. Ministri, ambasadori, drejtori Veliu është kënaqësi që ndodhem këtu në Kakavijë në një nga pika kryesore të hyrjes në Shqipëri. Kufijtë e sigurt nuk janë të rëndësishëm vetëm për Shqipërinë dhe fqinjët e saj, por edhe për sigurinë globale që përfshin edhe SHBA. Angazhimi i qeverisë së SHBA për forcimin e ligjzbatimit në Shqipëri është këtu tani dhe do vazhdojë të jetë këtu gjithmonë. Ky angazhim është i palëkundur. Dhurimi i pajisjeve është dëshmi e saj. Ne nuk jemi vetëm në këtë fushë. Punojmë ngushtë me Greqinë. Mbrojtja e kufijve nga qarkullimi i armëve dhe drogërave është thelbësore për sigurinë rajonale. Arrestimet e fundit në kufi janë tregues i mirë që pajisjet që kemi dhuruar janë efikase. Trafikimi i armëve, tregtinë e narkotikëve drejtohen nga element kriminalë të zgjuar dhe të pamëshirshëm. Duhet të jemi pak më të zgjuar dhe më të pamëshirshëm. I nxisim agjencitë të punojnë krah për krah kundër trafikimit të paligjshëm dhe formave të tjera të krimit. SHBA do vazhdojnë qëndrojnë krah jush përballë krimit gjithnjë në zhvillim.”