Drejtuesit e Fondit Pensional në Maqedoninë e Veriut thonë se pandemia nuk e ka lëkundur stabilitetin e këtij fondi, pavarësisht se një numër shumë i madh i qytetarëve janë larguar nga puna dhe ata në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë kontribuar në mbushjen e arkës së fondit, përmes pagesës së sigurimeve.
Drejtoresha e Fondit të Sigurimit Pensional Invalidor, Biljana Jovanovska në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se edhe ndryshimet ligjore që janë bërë, ku të gjithë qytetarët që mbushin 64 vjet obligohen të dalin në pension, nuk kanë ndikim në stabilitetin financiar të fondit.
“Pensionistët duhet të jenë krejtësisht rehat, Fondi Pensional është në gjendje stabile. Pensionet, si deri më tani, do të vazhdojnë të paguhen rregullisht dhe me kohë. Në pjesën e planifikuar të të hyrave dhe daljeve, gjithçka po zhvillohet ashtu siç ishte planifikuar. Në pesë muajt e parë, kemi realizuar të hyra 6.5 për qind më shumë sesa periudhën e njëjtë të vitit 2020. Ndërsa në pjesën e asaj çka ishte planifikuar për pesë muajt e parë, kemi rritje për 2 për qind. Çka do të thotë që këta tregues udhëzojnë që Fondi Pensional është stabil, pensionet do të paguhen në kohë dhe nuk ka kurrfarë problemi në lidhje me qëndrueshmërinë e buxhetit të Fondit Pensional Invalidor”, thotë Jovanovska.
Shteti mbush arkën e Fondit Pensional
Por, Alaudin Zeqiri, ligjërues në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tetovës, thotë se stabiliteti i Fondit Pensional do të mbetet i diskutueshëm nëse nuk arrihet që të rikuperohen dëmet që ka pësuar ekonomia nga kriza e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, pasi sipas tij, pa një ekonomi të qëndrueshme vështirë se do të ketë të ardhura nga pagesat e sigurimeve të qytetarëve që punojnë. Ai thotë se zbrazëtirat që krijohen në këtë fond nga mungesa e pagesave të sigurimeve, mbushen nga transferimi i mjeteve nga buxheti i shtetit.
“Do të kemi një situatë të qëndrueshme, në planin afatgjatë, vetëm nëse sigurojmë kushte për një rritje ekonomike të standardizuar. Në Maqedoninë e Veriut nuk e kemi një situatë të tillë dhe kjo paraqet një disbalancë të tët hyrave nga mjetet e sigurimit, që planifikohen edhe si dalje nga fondi, si rrjedhojë e pagesës së pensioneve”, thotë Zeqiri.
Ai thekson se zgjidhja afatgjate do të arrihet në momentin kur të gjithë të punësuarit do të paraqiten në Entin për Punësim dhe në mënyrë të rregullt do të paguajnë sigurimin pensional dhe atë shëndetësor.
Në raportin e fundit për punën e Fondit Pensional, që është për vitin 2019, theksohej se për të mbuluar deficitin në këtë institucion, qeveria ishte dashur të alokojë 28 miliardë denarë apo 37 për qind të mjeteve të përgjithshme që i duhen këtij fondi për të paguar pensionet e 333 mijë qytetarëve.
Ndërkaq, shoqatat e pensionistëve thonë se duhet të bëhet një rregullativë, ku qytetarët që plotësojnë kriteret për marrjen e pensioneve, të mos kenë nevojë që për dokumentacione të shkojnë në disa institucione, por me automatizëm, sistemi i fondit t’i grumbullojë të dhënat, dhe qytetarët, menjëherë pas ndërprerjes së punës të kenë të drejtë të marrin pensionin, pa pasur nevojë që të presin me muaj për një gjë të tillë.
Problemi i dokumentacionit për pension
Kryetarja e Lidhjes së shoqatave të pensionistëve, Stanka Trajkovska thotë për Radion Evropa e Lirë se një pjesë e madhe e qytetarëve e kanë të vështirë që të mbledhin dokumentacionin e nevojshëm që të aplikojnë për pensionim dhe procesi i miratimit të pensionit është një proces që zgjat.
Ajo thotë se Lidhja e shoqatave të pensionistëve ka kërkuar që të dhënat e të gjithë të punësuarve të sigurohen tri deri në pesë vjet para se ata të dalin në pension.
“Me vendosjen e rregullativës, që të dhënat e stazhit dhe lartësisë së pagës të procedohen më herët, shkurtohet edhe rruga e mundimshme e mbledhjes së dokumenteve, por njëkohësisht mundësohet që pensionistët të kenë një pasqyrë më të qartë sa i përket pensionit që do të marrin”, thotë ajo.
Drejtoresha e Fondit Pensional, Biljana Jovanovska thotë se të gjithë qytetarët e kanë mundësinë që të kontrollojnë nëse u janë paguar me kohë kontributet nga kompanitë ku punojnë, pasi këto të dhëna gjenden në ueb-faqen e këtij fondi.
“Listën për stazhin qytetarët mund ta nxjerrin përmes ueb-faqes tonë, por mund ta nxjerrin edhe përmes portalit uslugi.gov.mk, ku sikur edhe për institucionet tjera, ashtu edhe për Fondin Pensional Invalidor ka hapësirë ku janë të bashkëngjitura dokumentet të cilat qytetari mund t’i marrë, t’i shoh dhe vetë të shohë stazhin e tij”, tha ajo.
Por, shoqatat e pensionistëve thonë se gjenerata e cila tash pret të dalë në pension, nuk ka shkathtësi të duhura digjitale, që të dijë të përdorë këto mundësi që ofrohen. Prandaj, ata kërkojnë që të formohet një ekip, që do t’u ndihmonte pensionistëve në këtë drejtim.
Fondi Pensional është zotuar se deri në fund të vitit do të transferojë të gjitha të dhënat nga arkivi shtetëror, në mënyrë që qytetarët të mos kenë nevojë të mbledhin dokumentet për të aplikuar për pension./REL/
The post Arka e Fondit Pensional në Maqedoni varet nga buxheti i shtetit appeared first on Telegrafi.