Presidenti Ilir Meta reagoi i shqetësuar për zjarrin që pa përfshirë malin e Tomorrit. Përmes një postimi në “Facebook”, kreu i shtetit kërkoi reagim të menjëhershëm nga autoritetet.
“Jam duke ndjekur me shqetësim situatën aktuale të përhapjes së vatrës së zjarrit në malin e Tomorrit, që po dëmton seriozisht Parkun Kombëtar, një pasuri e jashtëzakonshme publike. U bëj thirrje autoriteteve vendore dhe qendrore të mos qëndrojnë indiferentë dhe as të humbasin më kohë, në marrjen e masave të menjëhershme dhe efektive të emergjencës, për të neutralizuar zjarrin dhe minimizimin e pasojave. Në mënyrë të veçantë nxis Agjensinë Kombëtare te Mbrojtjes Civile, që është vënë në dijeni të situatës, për angazhimin pa vonesë të strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes për operacione nga ajri, si e vetmja formë efikase operacionale për fikjen e zjarrit në malin e Tomorrit, për shkak të terrenit të vështirë për ndërhyrje nga toka. Është e pajustifikueshme për strukturat e Shërbimit Zjarrfikës dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, që prej shumë orësh, sipas raportimeve nga terreni, nuk kanë angazhuar mjetet dhe efektivët për shuarjen e zjarrit masiv, një krim i rëndë mjedisor.”
Një zjarr i madh ka përfshirë mëngjesin e kësaj të hëne kurorat me pisha në malin e Tomorit.
Zjarri ka rënë në zonën e fshatit Lybeshë të Poliçanit, ndërsa flakët të ndihmuara edhe nga era janë përhapur me shpejtësi duke djegur një sipërfaqe të konsiderueshme.