Nën masa të rrepta sigurie, Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin nisën takimin e tyre në Gjenevë të Zvicrës.
Dy liderët e shteteve më të fuqishme në botë mbërritën në “Villa la Grange” dhe qëndruan për pak çaste jashtë, ku u shkrepën edhe fotot e para. Biden dhe Putin shtrënguan duart, ndërsa takimi vjen vetëm disa muaj pasi presidenti amerikan tha se besonte se kreu i Kremlinit është vrasës.
Për samitin, Gjeneva është e blinduar, siç raportoi edhe gazetari i “Vizion Plus”, Thimi Samarxhiu, që po ndjek nga afër takimin. Rreth tre mijë forca policie janë shtuar, ndërsa prezente janë edhe shërbimet amerikane e ruse. Lëvizjet e tjera në qytet janë shumë të kontrolluara.
Biden e Putin do të diskutojnë për orë të tëra për çështjet më sensitive, si kontrolli i armëve, krimi kibernetik dhe spiunazhi, ndryshimi i klimës dhe situata me pandeminë e COVID-19.