Zëdhënësja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Rozafa Kelmendi ka hedhur poshtë lajmet e mediave serbe rreth nënshkrimit të deklaratës së përbashkët.
Sipas këtyre të fundit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti refuzoi që të nënshkruante deklaratën e përbashkët gjatë Samitit të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, në takimin e mbajtur në Tiranë.
Kelmendi është shprehur për mediat se deklarata u tërhoq nga vetë mikëpritësi i takimit. Ajo u shpreh se arsye e tërheqjes së deklaratës ishin dallimet e mëdha që janë vërejtur mes Kosovës e Serbisë.
“Lajmi për refuzimin e nënshkrimit të deklaratës së përbashkët nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është i pavërtetë. Deklarata është tërhequr nga vetë nikoqiri i takimit, pasi është vërejtur që ka dallime të mëdha mes Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh Kelmendi.
Mediat në Serbi kanë raportuar sot se ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ai që refuzoi nënshkrimin e deklaratës së përbashkët, kjo pasi sipas tyre në deklaratë nuk shkruhej “Republika e Kosovës”.