Vazhdimisht po bie numri i rasteve të reja me virusin Covid-19, kështu që sipas të dhënave të publikuara dje nga Instituti për shëndet publik, prej 3.143 testimeve janë regjistruar 37 raste të reja.
Si rrjedhojë e kësaj, edhe numri I pranimeve në spitale është gjithnjë e më i vogël. Siç kumtoi dje Ministria e Shëndetësisë, gjithsej 329 pacientë pozitivë dhe të dyshuar për Covid-19 po mjekohen në repartet infektive në Shkup dhe në spitalet e tjera të vendit, ndërsa janë rreth 575 shtretër të lire spitalorë në kovid-qendra.
Për shkak të numri të ulur të të sëmurëve, spitalet mbyllën një pjesë të kapaciteteve dedikuar për pacientë me kovid.
Sipas të dhënave të Institutit për shëndet publik, dje janë paraqitur gjithsej 15 të vdekur, ndërsa janë regjistruar 69 pacientë të shëruar.
Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me kovid në vendin tonë prej fillimit të epidemisë është 155.063, numri i pacientëve të shëruar është 146.869, I të vdekurve 5.311, ndërsa numri I rasteve aktive është 2.883.
Që gjendja të mbetet stabile, por edhe t’i vihet fundi pandemisë, Ministria e Shëndetësisë dhe ministri Filipçe bëjnë thirrje për vaksinim sa më masiv të qytetarëve.
Në pikat vaksinuese në vend, përfundimisht me pardje, janë vaksinuar gjithsej 220.733 qytetarë. Dozën e parë të vaksinës dje e morën 4.123 qytetarë, ndërsa gjithsej, ditën e njëjtë, janë vaksinuar 4.148 qytetarë.
Në vend, siç kumtoi Ministria e Shëndetësisë, gjithsej janë aplikuar 259.577 doza të vaksinës, ndërsa janë rivaksinuar 38.806 qytetarë.
Vaksinimi, vlerësojnë, po zhvillohet pa pengesa në të gjitha pikat e vendit. Interesi për vaksinim çdo ditë po rritet, ndërsa deri më tani 398.243 qytetarë kanë shprehur dëshirë për vaksinim përmes ueb platformës vakcinacija.mk.
Vaksinimi po kryhet në pajtim me Planin nacional për imunizim. Po vaksinohen personat e moshuar, qytetarë të cilët treguan interes për vaksinim në ueb faqen vakcinacija.mk, ndërsa po vaksinohen edhe personat e punësuar në infrastrukturë kritike. Vaksinim masiv po zhvillohet në disa qytete të vendit dhe atë në AQ QP “Boris Trajkovski” në Shkup, në sallat sportive në Kavadar, Kumanovë, Tetovë, Shtip, Manastir, Strumicë dhe Ohër.
The post Maqedoni: Bie numri i rasteve të reja me Covid-19 dhe i pranimeve në spitale appeared first on Telegrafi.