Miratimi i pasaportës digjitale në Bashkimin Europian po i hap rrugë një sezoni turistik thellësisht të dallueshëm nga ai i vitit të kaluar. Në Europë, Spanja është vendi i parë që do të hapet për të gjithë turistët e vaksinuar, nga data 7 qershor. Kryeministri Pedro Sanchez bëri të ditur se ndërkohë nuk ka asnjë kufizim për udhëtarët nga vendet e sigurta.
“Të gjithë udhëtarët që vijnë nga vendet e sigurta nuk do të përballen me asnjë kontroll shëndetësor teksa hyjnë në vendin tonë. Në këtë listë përfshihet Australia, Britania e Madhe, Kina, Zelanda e Re etj. Ndërsa nga data 7 qershor, të gjithë personat e vaksinuar dhe familjet e tyre do të mirëpriten në shtetin tonë, pavarësisht vendit të origjinës.”
I njohur si vendi i dytë më popullor për turistët pas Francës, në vitin 2019 Spanja regjistroi 83.5 milionë vizitorë të huaj. Ndërsa në vitin 2020, kjo shifër ra me 77 për qind, si pasojë e kufizimeve të vendosura për menaxhimin e pandemisë.
Sipas Organizatës për Turizëm Botëror, që funksionon në kuadër të Kombeve të Bashkuara, vitin e kaluar, në të gjithë botën lëvizjet e turistëve besohet të kenë rënë me 74 për qind.