Ndërkohë që ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian u mblodhën për të diskutuar për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, kryeministri Zoran Zaev u nis drejt Brukselit, duke u kërkuar vendeve anëtare të mos ndajnë Tiranën nga Shkupi.
Vendi ynë ka shpresa të mbajë konferencën e parë ndërqeveritare në qershor, e cila do të bëjë të mundur hapjen de facto të kapitujve të anëtarësimit, por kjo do të jetë e vështirë të realizohet nëse rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian vazhdon të jetë e bashkuar me atë të Maqedonisë së Veriut, e cila ka qenë një kandidate për anëtarësimin në BE që nga viti 2003.
Bullgaria ka vënë veton ndaj anëtarësimit të Shkupit dhe dy vendet nuk ka gjasa që të zgjidhin mosmarrëveshjet deri në qershor. Në këto kushte, komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varheley ka propozuar që konferenca të mbahet me Shqipërinë, ndërkohë që Shkupi dhe Sofja punojnë për arritjen e një marrëveshjeje mes tyre. Megjithatë, ky propozim duket se ka alarmuar kryeministrin Zaev, i cli ka kujtuar se Maqedonisë së Veriut i është dashur të presë derisa Holanda dhe Franca të pajtoheshin për hapjen e negociatave me Shqipërinë.
“Nuk është e mundur të ndahet rruga e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë”, deklaroi Zaev nga Brukseli.
Kryeministri Zaev kujtoi se Bullgaria kërkon që Maqedonia e Veriut të pranojë që gjuha maqedonase ka origjinë bullgare. Sipas Zaev, kjo nuk ka gjasa të ndodhë.
“Identiteti ynë, gjuha maqedonase, identiteti maqedonas, janë të shenjta për ne, si për çdo vend tjetër,” tha ai pas takimit me Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen në Bruksel. “Gjuha jonë maqedonase dhe identiteti maqedonas nuk janë të negociueshme”, tha ai, duke sinjalizuar kështu se mosmarrëveshjet mes dy palëve nuk ka gjasa të zgjidhjen (të paktën jo së shpejti).
Edhe pse Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria po ecin prej vitesh krah njëra-tjetrës në agjendën e pranimit në BE, vendi ynë është prekur në mënyrë indirekte nga vetoja bullgare. Ekspertët thonë se vendosja e Shqipërisë në një udhë të veçantë drejt BE-së do të penalizonte padrejtësisht vendin tonë, të cilit mund t’i duhet të presë vite të tëra për hapjen e kapitujve derisa Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria të zgjidhin mosmarrëveshjet.
Zaev tha nga ana e tij se Marrëveshja e Prespës, të cilën Greqia dhe Maqedonia e Veriut arritën në vitin 2018 për të zgjidhur një mosmarrëveshje mbi emrin dhe për të lehtësuar bisedimet e pranimit, është një shembull i gatishmërisë së vendit të tij për t’u angazhuar në diplomaci.
“Ne kemi krenarinë tonë dhe kemi identitetin tonë. Krenaria jonë mund të rritet e të ulet. Ne e treguam atë përmes Marrëveshjes së Prespës dhe me diplomacinë dhe fleksibilitetin tonë. Identiteti ynë është një dhe unik dhe nuk ka asnjë mundësi që qeveria ime ose ndonjë qeveri tjetër të negociojë për këtë. Dhe për këtë arsye, nuk është e mundur për asnjë shtet apo edhe një bashkim në të cilin ne nuk jemi ende anëtarë, të luajë me identitetin tonë kombëtar”, deklaroi Zaev.
Ai tha se nuk mund të pranonte që vendi i tij të shkëputej nga Shqipëria pas gjithë këtyre viteve.
“Nga ana ime, nuk është e mundur që të ketë shkëputje, ose të mbahet konferenca ndërqeveritare pa Maqedoninë e Veriut pas gjithçkaje që ka ndodhur,” tha Zaev, i cili përmendi edhe reformat që vendi i tij ka zbatuar si pjesë e përgatitjeve për anëtarësimin në BE, duke e “merituar të hyjë në hapin tjetër të procesit të anëtarësimit: konferencën ndërqeveritare”.
Një vit më parë, Këshilli Europian ra dakord të hapë bisedimet e pranimit si me Shqipërinë ashtu edhe me Maqedoninë e Veriut, duke mundësuar kështu mbajtjen e konferencës. Sidoqoftë, kundërshtimi i vazhdueshëm i Bullgarisë deri më tani ka parandaluar që përparimi diplomatik të bëhet realitet.
“Ne presim që BE në tërësi, 27 vendet anëtare, Komisioni Europian, të mbajë fjalën”, tha Zaev. “Nëse Shqipëria ndahet nga Maqedonia e Veriut ka një rrezik për Bullgarinë dhe për të gjithë Ballkanin,” paralajmëroi ai.
Deklaratat e Zaev duket se kanë marrë mbështetjen e një sërë vendesh anëtare.
Austria ishte e fundit që reagoi, duke e quajtur idenë e ndarjes së dy vendeve “absurde”. “Maqedonia e Veriut ka ndryshuar emrin, ka zbatuar reforma të jashtëzakonshme dhe mendoj se duhet të jemi shumë të kujdesshëm me sinjalet që po dërgojmë,” tha ministri i Jashtëm austriak Alexander Schallenberg.
Deputetë të ndryshëm austriakë nga parti të ndryshme kritikuan gjithashtu iniciativën për të shkëputur Shkupin nga Tirana. Kreu i delegacionit të SPÖ në Parlamentin Evropian, Andreas Schieder, e hodhi poshtë idenë dhe deklaroi se “interesat nacionaliste të Bullgarisë nuk duhet të kompromentojnë perspektivën e përbashkët europiane për rajonin.”
Po ashtu edhe eurodeputeti konservator Christian Sagartz nga ÖVP tha se është kundër shkëputjes së dy vendeve, ndërsa deputeti Thomas Waitz, nga partia e Gjelbër e quajti propozimin e Várhelyi “të dëmshëm”. Ai në vend të kësaj i bëri thirrje Komisionit Europian të bëjë presion ndaj Bullgarisë për të hequr veton e saj në hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut.
Bullgaria është aktualisht në krizë politike pas dështimit të përpjekjet për të formuar një qeveri pas zgjedhjeve të 4 prillit. Presidenti Rumen Radev do të caktojë një kabinet të përkohshëm të martën. Sidoqoftë, nuk pritet asnjë ndryshim i politikës ndaj Shkupit.
Ndërkohë, Ministri i Jashtëm Kroat Gordan Grlić Radman beson se BE duhet të rrisë përfshirjen e saj në Ballkanin Perëndimor dhe të punojë për një përgjigje më koherente dhe strategjike duke investuar kështu në stabilitetin dhe sigurinë e Europës si një e tërë.
“BE duhet të hapë negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe ajo duhet gjithashtu të adresojë sfida të tjera në rajon, të tilla si reforma dhe trashëgimia e luftës në Serbi, liberalizimi i vizave me Kosovën, etj,” tha Grlić Radman përpara diskutimit të së hënës me ministrat e BE-për Ballkanin Perëndimor.
Gazeta Si