Pandemia nxiti organizimin e më shumë protestave në Maqedoni

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Gjendja e rënduar socio-ekonomike e shumë kategorive të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, si pasojë e pandemisë së koronavirusit, ka nxitur që ata revoltën e tyre, për mosrealizimin e kërkesave, ta shprehin përmes organizimit të protestave.

Sektori i hotelerisë, ai i gastronomisë, agjencitë turistike, muzikantët, artistët e pavarur, pronarët e objekteve për organizimin e ngjarjeve të ndryshme, madje edhe nxënësit e shkollave të mesme, kërkesat e tyre i kanë bërë publike përmes organizimit të protestave para ndërtesës së Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Mirjana Najçevska nga Instituti i Shkencave Humane, thotë për Radion Evropa e Lirë se mbajtja e shumë protestave së fundmi, duke respektuar masat kundër pandemisë, paraqet vlerë të shtuar për zhvillimin e demokracisë. Megjithatë, ajo shton se qytetarët duhet të mendojnë edhe për forma të tjera për t’i bërë presion qeverisë, që të realizojë kërkesat e tyre.

“Te ne janë pak të zhvilluara grupet lobuese ose grupet kompetente, të cilat, përmes shtetëzimit të mekanizmave që i ofron sistemi i drejtësisë, do të mund të promovonin nevojat specifike të kategorive të ndryshme të qytetarëve. Ai elementi institucional sikur është margjinalizuar dhe gjithçka është koncentruar në organizmin e protestave në rrugë, që në fakt është arma e fundit që duhet të përdoret, sa i përket realizimit të të drejtave, kur nuk funksionojnë institucionet”, thotë Najçevska.

Advertisement

Ndërkaq, Ali Pajaziti, ligjërues i Sociologjisë në Universitetin e Evropës Juglindore, thotë për REL se qeveria gjithmonë duhet të jetë e gatshme për rebelime të natyrave të ndryshme. Por, sipas tij, ekzekutivi duhet të gjejë mekanizma që të përmbushë kërkesat racionale të qytetarëve.

“Elektrizime të tilla ekzistojnë gjithkund në botë, por në vendet e zhvilluara, kërkesat perceptohen herët dhe reagimi është i shpejtë, pa pasoja, në mënyrë shumë të civilizuar”, thotë Pajaziti.

Nga ana tjetër, Iljo Trajovski, ligjërues në Fakultetin e Filozofisë në Shkup, thotë se dukuria e organizmit të më shumë protestave çon kah rritja e shkallës së demokracisë.

“Kjo do të thotë se interesat e kategorive të ndryshme të qytetarëve, përmes protestave, pra daljes në rrugë, synojnë të bëhen sa më të dukshme për autoritetet në vend. Në esencë, kjo dukuri është pozitive sepse do të thotë pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve në vendimmarrje”, thotë ai./REL/

Advertisement

The post Pandemia nxiti organizimin e më shumë protestave në Maqedoni appeared first on Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy