Teksa vijon numërimi i votave në rang vendi, një ditë pas votimeve, vjen një reagim nga kandidatja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila tregon se Partia Demokratike në Tiranë është rritur me 30%, ku sipas saj ka një rritje me 1200 vota ndërkohë që Partia Socialiste ka rënë me 200 vota.
Tabaku fton të gjithë numëruesit, të gjithë vëzhguesit të vazhdojnë punën me vendosmëri.
“Unë dua të falënderoj të gjithë qytetarët e Shqipërisë e veçanërisht ata të Tiranës që dje morën pjesë masivisht në zgjedhje dhe Tirana në fakt po i prin ndryshimit. Rezultatet që erdhën nga dega 10 në Tiranë me votimin elektronik janë të jashtëzakonshme. Partia Demokratike është rritur me 30%, ka një rritje me 1200 vota ndërkohë që Partia Socialiste ka rënë me 200 vota. Unë ftoj të gjithë numëruesit, të gjithë vëzhguesit të vazhdojnë të numërojnë me vendosmëri. Rezultatet në çdo kuti votimi tregojnë pikërisht këtë trend, Tirana po i prin ndryshimit, Tirana do të vazhdojë të ketë një ditë me diell si ajo e djeshmja dhe unë i ftoj që të gjithë që të vazhdojmë të numërojmë, të vazhdojmë të ndryshojmë sepse e ardhmja për Tiranën do të jetë më e mirë. Shqipëria po fiton, Shqipëria po fiton. Ju faleminderit!
Unë mund t’ju përgjigjem të gjitha pyetjeve që ju doni, por besoj se njësia 10 është rezultati më i mirë i pasqyrës se si do të jetë Tirana. Rënie për Partinë Socialiste me 200 vota dhe rritje për Partinë Demokratike me 1200 vota, rritje 30%. Besoj se me qetësi të gjithë do të kemi edhe rezultatet e tjera në vazhdim”, shprehet Tabaku./Vizion Plus