
Presidentja e komisionit europian, Ursula Fon Der Lajen ka deklaruar se deri në fund të muajit korrik do të mund të imunizohen të paktën 70% e të rriturve në Bashkimin Europian.
Pas vizitës në një fabrikë belge për prodhimin e vaksinave Pfizer dhe BioNtech, shefja e ekzekutivit deklaroi se pengesat në fushatën e vaksinimit, tashmë janë tejkaluar.
URSULA VON DER LEYEN
AdvertisementPRESIDENTE E KOMISIONIT EUROPIAN
“Në ditët e ardhshme blloku europian do të arrijë një kontratë të re me kompaninë Pfizer/BioNtech për sigurimin e një shtese prej 1.8 miliardë dozave të vaksinës gjatë vitit 2020 dhe 2023. Jam besimplotë se do të kemi mjaftueshëm doza për të vaksinuar 70 % të popullsisë në muajin korrik.”
Vaksina Pfizer, e zhvilluar me partnerin gjerman BioNTech, është e shtrenjtë në krahasim me disa konkurrentë dhe përdor teknikën mRNA që mund të përshtatet me variantet e ardhshme të koronavirusit.
Ndërkohë, rregullatori shëndetësor në Shtetet e Bashkuara ka hequr pauzën 11-ditore për vaksinën kundër COVID-19 Johnson & Johnson, por duke shtuar paralajmërimin se kjo vaksinë mund të shkaktojë mpiksje të gjakut.
Pas këtij vendimi, të paktën dhjetë milionë doza të Johnson & Johnson që gjenden në fabrikën e kësaj kompanie në Holandë, do të dërgohen menjëherë në SHBA.
Vaksina e Johnson & Johnson administrohet përmes një doze të vetme. Para se të pezullohej për përdorim, kjo vaksinë u administrua pothuajse në tetë milionë persona në SHBA.