Të hënën, më shumë se 1,800 të dënuar u arratisën nga një burg në Nigerinë juglindore, pas një sulmi të armatosur.
Menaxheri i institucionit të dënimit tha se burgu u sulmua në orët e para të mëngjesit nga një grup personash të armatosur rëndë, të cilët bënë të mundur lirimin e 1.844 të burgosurve.
Pavarësisht faktit që autoritetet nigeriane siguruan se situata ndodhet “nën kontroll”, ky është sulmi më i madh i ndodhur në një burg në historinë e fundit të vendit afrikan.
Sipas një deklarate nga shërbimet nigeriane, banditët mbërritën me furgonë dhe armë tepër të “sofistikuar”, të gatshëm për t’u përballur me personelin e sigurisë së institucionit.
Pasi u përfshinë në një shkëmbim zjarri me rojet e burgut, sulmuesit arritën të hynin në oborrin kryesor duke përdorur eksplozivë.