Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore si institucion relevant në vend, që promovon dhe mbron interesat e komunitetit afarist, ka për qëllim të krijojë një ambient dhe klimë sa më të përshtatshme të të bërit biznes. Bashkëpunimi me të gjitha institucionet shtetërore është në nivel shumë të lartë dhe i ndërsjellë në suaza të qëllimeve për përmirësimin e ekonomisë në vend.
Duke u nisur nga misioni i saj, OEMVP shpreh shqetësim lidhur me situatën e krijuar, përkatësisht me Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për regjistrim të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, për vitin 2021, i cili ndodhet në seancë parlamentare, me çka prolongohet regjistrimi.
OEMVP vlerëson se çdo iniciativë ligjore e cila do të rezultonte në shtyerjen e këtij procesi, duhet të ndërpritet menjëherë. Regjistrimi i popullsisë dhe i amvisërive si proces i të dhënave statistikore, paraqet një nga pengesat dhe anomalitë e planifikimit makroekonomik dhe zhvillimit të ekonomisë në përgjithësi. Proces ky që në të kaluarën është politizuar dhe ka lënë peng zhvillimin ekonomik.
OEMVP si institucion me përgjegjësi të dëshmuar shoqërore, gjithmonë ka përkrahur masat e Qeverisë për mbrojtjen e shëndetit publik, mirëpo justifikimi i këtij ligji me nevojat për imunizim kolektiv nuk është arsye e mjaftueshme, ngase nevoja për imunizim nuk ka lindur sot, por ka qenë nevojë që nga momenti i shpikjes së vaksinës. Në këtë aspekt, Qeveria nuk dëshmoj kapacitet në imunizimin kolektiv, siç e bënë vendet në rajon.
Plani për realizimin e regjistrimit në shtator nuk garanton që deri atëherë, do të kemi pasqyrë më të mirë epidemiologjike dhe rrjedhimisht valë tjetër të infektimeve. Apelojmë deri tek Kuvendi që ky proces i rëndësishëm statistikor për ekonominë e vendit, të vazhdojë e mos të shtyhet, duke respektuar kështu të gjitha protokolet shëndetësore për mbrojtje të popullatës.
The post OEMVP reagon në lidhje me shtyrjen e regjistrimit të popullsisë appeared first on Telegrafi.