Tre partitë më të mëdha të Kosovës pas Lëvizjes Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë vendosur që të mos e mbështesin për presidente Vjosa Osmanin.
Deri më tani, sipas mediave në Kosovë, seanca për të votuar presidentin e ri është parashikuar të mbahet në javën kur do të votohet edhe Qeveria e re. Por partitë opozitare, përfshirë edhe atë të ish-kryeministrit Ramush Harandinaj duket se nuk do t’i japin dritën jeshile ish-kandidates së LDK-së për t’u ulur në karrigen e presidencës.
Të hënën, pak orë pas konstituimit të Kuvendit në Prishtinë do të mbahet seanca për votimin e Qeverisë së re të udhëhequr nga Albin Kurti. Java e ardhshme do të shënojë edhe nisjen e procesit për zgjedhjen e presidentit të ri, por Vjosa Osmani duket se nuk gëzon mbështetjen e opozitës.
Edhe pse ka dalë më e votuara nga zgjedhjet e 14 shkurtit, Osmani nuk do të ketë përkrahjen e partive të tjera për t’u ulur në karrigen më të rëndësishme të shtetit. Haradinaj ishte i pari nga partitë opozitare që tha se AAK-ja nuk e mbështet Vetëvendosjen, duke thënë se në këtë mënyrë pushteti do të perqendrohej në një parti të vetme.
“Deri tani Vetëvendosje, së bashku me Lëvizjen Guxo, ka marr shumicën e votave për të qeverisur me vendin, por nuk i kanë dy të tretat për zgjedhjen e presidentit. Do të shohim se si do të veprojnë për ta zgjedhur këtë situate, pasi edhe qeveria varet nga ky votim. Vetëvendosje i ka fituar zgjedhjet për të qeverisur me vendin, por nuk do t’i japim përkrahje për ta përqendruar pushtetin te një partie e vetme”, tha ai.
Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur po ashtu një takim për të vendosur lidhur me çështjen e presidentin, ku pas disa orë mbledhjeje, kryetari i kësaj lëvizjeje, Enver Hoxhaj njoftoi se nuk do të votojë për Osmanin për kryetare të shtetit.
“PDK në mënyrë unanime nuk e mbështet kandidaturën e zonjës Osmani për të presidente”, tha Hoxhaj.
I njëjti vendim është marrë edhe nga ish-partia e zonjës Osmani, Lidhja Demokratike e Kosovës. Lumir Abdixhiku, kryetar i ri i partisë, thënë se nuk LDK nuk do të votojë për një president partiak.
“LDK nuk do jetë pjesë e qeverisë, sa jam unë kryetar, LDK do të jetë opozitë dhe do të vetë-reformohet dhe përqendrohet në korrigjimin e gabimeve. Kosova nuk ka nevojë për president partiak. Kemi pasur president partiak sikurse Thaçit dhe nuk duam prapë një të tillë. Presidenti duhet të ketë neutralitet”, shprehet Abdixhiku.
Vjosa Osmani do të nominohet për presidente si pjesë e një marrëveshjeje parazgjedhore të nënshkruar me Kurtin. Zgjedhja e Presidentit bëhet nga dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë mes dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave dhe kandidati që merr shumicën zgjidhet President i Republikës së Kosovës .Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, atëherë Kosova mund të shkojë sërish drejt zgjedhjeve të reja.