Persona të armatosur rrëmbyen të premten 317 vajza në një shkollë me konvikt në Nigerinë veriore, në një seri rrëmbimesh masive të nxënësve në atë vend të Afrikës Perëndimore.
Zëdhënësi i policisë në shtetin Zamfara, Mohammed Shehu, i cili konfirmoi rrëmbimet tha se policia dhe ushtria kanë filluar operacione të përbashkëta për të shpëtuar vajzat pas sulmit në shkollën e mesme qeveritare për vajzat në qytetin Jangebe.
Një nga prindërit, Nasiru Abdullahi, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press, se vajzat e tij 10 dhe 13 vjeçare, janë në mesin e të rrëmbyerave.
“Është zhgënjyese që edhe pse ushtria ka një prani të fortë pranë shkollës, nuk ishte në gjendje të mbrojë vajzat” tha ai. “Tani ne shpresojmë vetëm në dorën hyjnore”.
Banori Musa Mustafa, tha se personat e armatosur sulmuan gjithashtu një kamp ushtarak dhe një pikë kontrolli aty pranë, duke parandaluar ndërhyrjen e ushtarëve, ndërsa personat e armatosur qëndruan disa orë në shkollë. Nuk ishte e qartë menjëherë nëse pati viktima.
Disa grupe të mëdha peronash të armatosur që përshkruhen si banditë nga qeveria, veprojnë në shtetin Zamfara dhe janë të njohur për rrëmbime për para dhe ushtrojnë trysni për lirimin e anëtarëve të tyre nga burgu.
Presidenti nigerian, Muhammadu Buhari, tha të premten se qëllimi kryesor i qeverisë është që të kthehen të gjithë pengjet të sigurt, të gjallë dhe të padëmtuar.
“Ne nuk do t’u nënshtrohemi shantazheve nga banditë dhe kriminelë që vënë në shënjestër nxënës të pafajshëm të shkollës në shkëmbim të shpërblimeve të mëdha”, tha ai. “Banditët, rrëmbyesit dhe terroristët të mos kenë iluzion se janë më të fuqishëm se qeveria. Ata nuk duhet të ngatërrojnë përmbajtjen tonë për qëllime humanitare të mbrojtjes së jetëve të pafajshme si një dobësi, ose një shenjë frike ose pavendosmërie”.
Zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Stephane Dujarric, tha se sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate, Antonio Guterres, dënoi me forcë rrëmbimet dhe bëri thirrje për “lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar” të vajzave dhe kthimin e sigurt në familjet e tyre, duke i quajtur sulmet ndaj shkollave një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të fëmijëve.
Kombet e Bashkuara ritheksuan mbështetjen e tyre për Nigerinë “në luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe krimit të organizuar”, tha Dujarric, duke u bërë thirrje autoriteteve nigeriane ” të mos kursejnë asnjë përpjekje për të sjellë para drejtësisë ata që janë përgjegjës për këtë krim”.
“Jemi të zemëruar dhe të trishtuar nga një sulm tjetër brutal ndaj nxënësve në Nigeri”, tha Peter Hawkins, përfaqësuesi i UNICEF-it në vend. “Kjo është një shkelje e rëndë e të drejtave të fëmijëve dhe një përvojë e tmerrshme për fëmijët”, tha ai duke bërë thirrje për lirimin e tyre të menjëhershëm.
Nigeria ka përjetuar disa sulme dhe rrëmbime të tilla gjatë viteve, veçanërisht rrëmbimin masiv në prill të vitit 2014 nga grupi xhihadist Boko Haram i 276 vajzave nga shkolla e mesme në Chibok në shtetin Borno. Më shumë se 100 vajza janë ende të zhdukura.
Sulmi i së premtes ndodhi më pak se dy javë pasi persona të armatosur rrëmbyen 42 persona, përfshirë 27 studentë, nga Kolegji Shkencor Qeveritar Kagara në shtetin Niger. Studentët, profesorët dhe anëtarët e familjes janë ende duke u mbajtur.
Në dhjetor, 344 nxënës u rrëmbyen nga Shkolla e Mesme Kankara në shtetin Katsina. Në fund u lanë të lirë.
Amnesty International dënoi “sulmin e tmerrshëm”, duke paralajmëruar në një deklaratë se “vajzat e rrëmbyera janë në rrezik të madh”./ VOA