ANALIZA: Kina po krijon shteg në Ballkan përmes “diplomacisë me vaksina”

Pinterest LinkedIn Tumblr +
ANALIZA: Kina po krijon shteg në Ballkan përmes “diplomacisë me vaksina”

Kina ka rritur angazhimin e saj në Ballkan përmes furnizimit me vaksina kundër COVID-19. Në të njëjtën kohë, ajo po korr edhe fitore diplomatike. Kjo po ndodhë në kohën kur vendet evropiane po luftojnë me një situatë të mungesës së vaksinave kundër COVID-19.

Serbia është bërë pika kyçe e “diplomacisë me vaksina” të Kinës në Evropë. Pekini po synon të rrisë ndikimin global duke bërë dërgesa të vaksinave në vendet e varfëra. Në këtë mënyrë po mundohet të mbushë një zbrazëti të krijuar nga vendet perëndimore, të cilat kanë blerë të gjitha dozat e vaksinave – që i kanë miratuar – dhe tani po përballen me mungesa të furnizimit për shkak të vonesave në prodhim.

Serbia është një aleate e Rusisë, por në të njëjtën kohë synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Lidhjet e Serbisë me Kinën kanë shënuar përafrim viteve të fundit. Ato u thelluan më shumë nën udhëheqjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Gjatë pandemisë, ai iu bëri jehonë lidhjeve të forta të vendit të tij me Pekinin. Në Serbi janë organizuar një sërë ceremonish, në të cilat Vuçiq ka lavdëruar ndihmën e Kinës, madje në një rast edhe duke e puthur flamurin kinez. Kjo ndodhi në muajin mars të vitit 2020, pasi në Beograd arriti një aeroplan me ndihma mjekësore nga Kina.

Advertisement

Strategjia e Vuçiqit duket se ka funksionuar. Serbia ka shfrytëzuar lidhjet e saj për ta bërë të shumëllojshëm procesin e furnizimit me vaksina, duke u bërë kështu vendi me përqindjen më të lartë të të vaksinuarve në Evropën Kontinentale.

Deri më 16 shkurt, në Serbi janë vaksinuar rreth 11.2 për qind e popullsisë së saj 7 milionëshe. Kjo shifër tejkalon vendet e BE-së, nga të cilat prin Danimarka, me 6.9 për qind të popullsisë së saj të vaksinuar me dozën e parë të vaksinës.

Në procesin e imunizimit të Serbisë, pjesa më e madhe e vaksinave janë marrë nga Kina, rreth 1.5 milionë, megjithëse ky vend po përdorë gjithashtu edhe vaksinën Sputnik-V të Rusisë si dhe atë gjermano-amerikane: Pfizer-BioNTech.

Më 11 shkurt, në aeroportin “Nikolla Tesla” në Beograd ka arritur dërgesa më e fundit e vaksinës kineze. Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq dhe ambasadori kinez në Serbi, Chen Bo, ishin të pranishëm gjatë pranimit të dërgesës.

Advertisement

Kina po përballet me stuhi dyshimesh dhe skepticizëm nga perëndimi dhe gjetja e një terreni në Serbi për dërgimin e vaksinave, shërben edhe si një fitore e rëndësishme gjeopolitike.

Pekini bën përpjekje për të pasur një ndikim më të madh në rajon dhe më gjerë, prandaj Beogradi është bërë një pikënisje e rëndësishme për Kinën në synimet e saj për të fituar terren në Evropë.

“Serbia ka shërbyer prej kohësh si një lloj terreni testues për Kinën”, thotë ish-diplomati, Vuk Vuksanoviq, tash hulumtues në Qendrën për Politika të Sigurisë në Beograd.

“Këtë e kemi vërejtur në fushën e mbrojtjes, ndërtimit, teknologjisë dhe tani me vaksinat. Pra, është një vend ku Pekini po i provon politikat e tij duke shpresuar që ato t’i provoje edhe diku tjetër në Evropë”, thotë ai.

Advertisement

Prej maskave te vaksinat

Nga këndi kinez, furnizimi me vaksina bëhet me të njëjtën logjikë të “diplomacisë së maskave”.

Përmes asaj strategjie, Kina siguroi maska dhe pajisje mjekësore përgjatë vendeve që i sheh si pjesë të projektit të njohur si “Një Rrip një Rrugë” – nga Afrika në Azinë Juglindore dhe deri në Lindjen e Mesme. Kina, i dërgoi këto furnizime në fillim të pandemisë, për të shuar zemërimin dhe kritikat për mënyrën se si e kishte trajtuar pandeminë, por edhe për të rritur ndikimin në këto vende përmes “fuqisë së butë”.

Vaksinat kineze, përshembull, e ndihmuan Serbinë të bëhet udhëheqëse në fushatën e imunizimit dhe në të njëjten kohë i ofruan mundësinë presidentit Vuçiq që të kritikojë BE-në dhe pabarazinë globale në qasje te vaksinat.

Advertisement

Në fund të muajit janar, Vuçiq i krahasoi grindjet globale për vaksinat me katastrofën e anijes Titanik.

“Bota ka goditur një akullnajë, si Titaniku: të pasurit ruajnë veten dhe të dashurit e tyre”, pati thënë Vuçiq.

“Ato (vendet e BE-së) kanë përgatitur varka shpëtimi, ndërsa ata që nuk janë të pasur, dhe të vegjël, sikurse ne vendet e Ballkanit Perëndimor, po fundosemi së bashku në Titanik”, ka thënë Vuçiq.

Dimitar Beçev, nga Instituti për Shkencat Humane në Vjenë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kjo është një mundësi e artë për Kinën “për ta turpëruar BE-në, por edhe më gjerë Perëndimin”.

Advertisement

“Për Pekinin kjo është një mundësi që të lustrojë reputacionin në nivel global, por edhe më shumë se kaq, për të zëvendësuar Perëndimin si shtyllën kurrizore të bashkëpunimit ndërkombëtar”, tha ai.

Bashkimi Evropian është zotuar t’u ndajë gjashtë anëtarëve të ardhshëm të BE-së në Ballkanin Perëndimor – përfshirë Serbinë – 85 milionë dollarë për të blerë vaksina, por dërgesat janë vonuar.

BE-ja po e bën blerjen e vaksinave për 27 vendet anëtare të saj. Blloku ende nuk i ka miratuar për përdorim vaksinat ruse dhe kineze. Në anën tjetër, kompanitë e tri vaksinave tjera që prodhohen në Gjermani, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar, po bëjnë përpjekje të sigurojnë me doza të premtuara vendet e BE-së.

Beogradi ndoqi një strategji të cilën edhe vendet tjera mbase do ta ndjekin. Në vend se të priste ndihmën e BE-së, Beogradi siguroi doza të vaksinës nga Kina, Rusia dhe drejtpërdrejtë nga Shtetet e Bashkuara.

Advertisement

Pasi shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në mars dhe u përball me kufizime të eksportit të pajisjeve mjekësore nga ana e BE-së, Serbia mori një përgjigje të shpejt mbështetjeje nga Pekini.

Presidenti Vuçiq e ka quajtur solidaritetin evropian “një përrallë” duke thënë se vetëm Kina ishte e gatshme t’ia zgjaste dorën e ndihmës Serbisë.

Ashtu si në ditët e para të pandemisë, kur vendet po përballeshin me mungesë të pajisjeve mjekësore, edhe tash, kombet më të vogla në periferi të BE-së, po kërkojnë ndihmë gjetiu për furnizim me vaksina.

Maqedonia e Veriut ka në plan blerjen e 200,000 dozave të vaksinës kineze. Bosnje dhe Hercegovina është furnizuar me 2,000 doza të vaksinës ruse, ndërsa 200,000 të tjera pritet që të arrijnë në muajin tjetër. Mali i Zi gjithashtu është në pritje të furnizimit me 100,000 doza të vaksinës ruse, një shifër kjo shumë e lartë duke marrë parasysh numrin e vogël të banorëve – rreth 625,000.

Advertisement

“Vendet që nuk janë anëtare të BE-së janë lënë në acar dhe nuk kanë zgjidhje tjetër”, thotë Beçev.

Shembullin e Serbisë e ka ndjekur edhe vendi anëtar i BE-së, Hungaria, duke nisur prokurimin për vaksinat kineze dhe ruse. Në mënyrë të njëashme, Budapesti miratoi për përdorim vaksinën kineze dhe ka porositur 5 milionë doza, dërgesa e parë e të cilave ka arritur më 16 shkurt.

Kryeministri çek, Andrej Babis vizitoi Budapestin dhe Beogradin, më 5 përkatësisht 10 shkurt, për të diskutuar stretegjitë e këtyre vendeve për imunizimin. Ai u shpreh i hapur për të ndjekur këto strategji të furnizimit me vaksinën ruse dhe atë kineze.

Politika Pandemike

Advertisement

Suksesi i strategjisë serbe të vaksinave është një rezultat i politikës së saj të jashtme, që shikon edhe kah Lindja por edhe nga Perëndimi.

Kjo politikë u shpërfaq edhe në zgjedhjen që bën për vaksinim zyrtarët e lartë të Qeverisë së Serbisë.

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq u imunizua me vaksinën Pfizer-BioNTech, ndërsa ministri i Brendshëm, Aleksandar Vullin dhe kryetari i Parlamentit, Ivica Daçiq zgjodhën atë ruse Sputnik-V. Ministri i Shëndetësisë, Zllatibor Lonçar mori vaksinën kineze. Vuçiq ka sinjalizuar se edhe ai mund të zhveshë krahun për të marrë një vaksinë kineze.

Por, pavarësisht kësaj ndarjeje Lindje dhe Perëndim në vaksinimin e zyrtarëve serbë, Qeveria e Serbisë ka insistuar në faktin se, strategjia e saj nuk udhëhiqet politikat që zhvillohen në botë, por ka në fokus emergjencën e shëndetit publik.

Advertisement

“Për ne, vaksinimi është çështje e kujdesit shëndetësor dhe jo gjeopolitikë”, tha për BBC, më 10 shkurt, kryeministrja Bërnabiq.

Por, si e shpjegon këtë përqafim të Serbisë ndaj “diplomacisë me vaksina” të Kinës, Vuk Vuksanoviq, nga Qendra për Politika të Sigurisë. Ai thotë se ky veprim duhet të analizohet në një kontekst më të gjerë të balancës së politikës së jashtme të vendit.

“Kjo është gjithashtu një mënyrë për të nxitur dhe provokuar BE-në që të bëjë më shumë”, tha ai.

Në muajin mars të vitit 2020, pas kritikave të Vuçiqit ndaj evropianëve dhe lavdërimeve ndaj Kinës për “diplomacinë e saj të maskave”, BE-ja përfundimisht dërgoi pajisje mjekësore në Serbi si dhe ndau një paketë ndihme prej 112 milionë dollarësh.

Advertisement

Por, strategjia e Pekinit duket se po korr fitore. Sondazhet tregojnë se Kina po shihet jashtëzakonisht pozitive në vend, duke sinjalizuar se përpjekjet e saj diplomatike gjatë pandemisë kanë qenë të frytshme.

Pyetja më e madhe për Kinën është nëse ajo mund të shfrytëzojë bazat e saj në Serbi dhe të korr përfitime diku tjetër në Evropë.

Më 9 shkurt, Pekini organizoi një samit virtual për një bllok të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore.

Samiti u drejtua nga presidenti kinez, Xi Jinping, por përfaqësimi ishte i nivelit më të ulët që nga themelimi i kësaj nisme më 2012, pasi gjashtë vende evropiane nuk dërguan përfaqësues në nivel të kryeministrit apo presidentit.

Advertisement

Pavarësisht kësaj shfaqjeje të mosinteresimit për këtë organizim, shumë vende në rajon po bëjnë përpjekje të mbajnë të lidhjet e tyre me Pekinin, në kohën kur BE-ja po ballafaqohet me pasiguri dhe bllokada të furnizimit me vaksina.

“Edhe ato vende në Evropën Lindore që janë zhgënjyer me Kinën, ende mund të luajnë me kartën e tyre të Kinës, varësisht sesi rrjedhin gjërat”, tha Vuksanoviq.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy