Ndër proceset e para që i prijnë përgatitjeve për ditën e zgjedhjeve është mbledhja e Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve.
Nga e Mërkura deri të Premten, në 92 njësi administrative do të ngrihen KZAZ-ët, ku anëtarëve do t’u dorëzohen materialet paraprake për zgjedhjet e 25 Prillit.
Ndryshe nga zgjedhjet vendore të 2019-ës, ku opozita e bashkuar i bojkotoi ato, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të kenë anëtarët e tyre.
Sipas vendimarrjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në gjysmën e KZAZ-ve, shumicën do ta ketë Partia Socialiste, pra me tre anëtare dhe në gjysmën tjetër Partia Demokratike me të njëjtin numër përfaqësuesish. Anëtarin e saj në qendrat e administrimit të zgjedhjeve, do të ketë edhe partia Social-Demokrate.
Deri në ditën e zgjedhjeve, anëtarët e KZAZ-ve do të mblidhen rregullisht, për aq kohë sa vendimarrje të rëndësishme si procesi i identifikimit elektronik është ende në fillesë, në pritje për t’u shpallur “Smartmatic”, si kompania që do ta mundësojë atë. Pas këtij vendimi, dhe gjithnjë e më pak ditë në dispozicion do të nisë fushata ndërgjegjësuese, trajnimi i personave për zbatimin e teknologjisë dhe ajo që certifikon gjithë procesin provat për funksionimin e saj.
Gjasat janë që identifikimi elektronik do të jetë i vetmi angazhim i përmbushur nga rregullat e reja që dikton kodi zgjedhor.
Pilotimi i votimit e numërimit elektronik dhe mundësimi i votë së emigrantëve ende nuk ka gjetur marrëveshjen mes partive politike për t’u zbatuar më 25 Prill.