Enti Shtetëror i Statistikës do të përmbyll së shpejti përgatitjen e Metodologjisë për zbatimin e regjistrimit, si akt nënligjor i detajuar që definon procedurën. Sipas zv/drejtorit të Entit të Statistikës Ilmi Selami, edhe pse ligji parashikon prezantimin e Metodologjisë së punës në afat prej një muaji nga miratimi i ligjit, kjo do të ndodhë më shpejt, ose në afat prej 10 deri 15 ditësh. Edhe pse pati vonesa në miratimin e Ligjit të regjistrimit të Kuvend, zv/drejtori Selami sqaron për Alsat se Enti i Statistikës nuk do të ketë problem dhe vonesa me organizimin, të cilin e ka filluar më herët.
Për regjistrimin do të angazhohen rreth 6 mijë persona, prej të cilëve 5 mijë regjistrues terreni dhe 1 mijë instruktorë rajonal dhe komisionerë rajonal. Konkursi për angazhimin e tyre pritet të shpallet gjatë ditëve të ardhshme dhe menjëherë pas selektimit do të vijojë periudha e trajnimit. Muaj më parë Statistika siguroi 5650 pajisjet elektronike laptopë, ku regjistruesit do të fusin të dhënat e personave që do të regjistrojnë, kurse Statistika punon në përditësimin e Aplikacionit i cili po ashtu thonë se do të jetë gati së shpejti.
Meqë regjistrimi elektronik i diasporës fillon më herët, Enti i Statistikës do të realizojë fushatë informuese për këto persona. Sipas ligjit, shtetasit me punë ose qëndrim të përkohshëm jashtë vendit fillimisht duhet të regjistrohen në aplikacionin e faqes elektronike dhe më vonë t’u mundësohet të plotësojnë formularin me të dhënat e tyre personale. Regjistrimi elektronik do të bëhet nga 1 marsi deri më 21 prill.
Mundësia e dytë për regjistrimin e personave që jetojnë jashtë vendit është edhe nëpërmjet një të afërmi të tyre të moshës madhore i cili do t’i posedojë të dhënat personale të personave që synojnë të regjistrohen. Shtetasit që jetojnë në vend dhe qytetarët e tjerë me leje qëndrimi në Maqedoni, amvisëritë dhe banesat do të regjistrohen nga data 1 prill deri më 21 prill.
Në periudhë pandemie, institucionet shëndetësore parashikojnë masa të veçanta mbrojtjeje gjatë regjistrimit, paralajmëron zv/ministri i Shëndetësisë Ilir Hasani.
“Punojmë në përpilimin e protokolleve. Kemi edhe disa javë deri në fillimin e procesit por në parim bazohemi në protokollet kryesore që i posedojmë për të gjitha aktivitetet e tjera që bëhen. Qëllimi i regjistrimit të popullsisë nuk është që të hymë në shtëpi por të regjistrojmë popullsinë. Mund të hynë brenda vetëm tek ata të cilët paraqitet nevoja, respektivisht tek personat që nuk mund të dalin jashtë shtëpive”, tha Ilir Hasani, zv/ministër i Shëndetësisë.
Regjistrimi do të realizohet në shtatë gjuhë, në maqedonisht, në shqip, në turqisht, në gjuhën rome, vllahe, serbe dhe boshnjake, cilëndo gjuhë që kërkon personi që regjistrohet./Alsat/
The post Enti për Statistika përgatit metodologjinë e regjistrimit në Maqedoni, do të angazhohen rreth 6 mijë persona appeared first on Telegrafi.