Udhëheqësit perëndimorë po kërkojnë lirimin e drejtuesit të opozitës ruse Aleksei Navalni, i cili u arrestua të dielën pasi mbërriti në Moskë nga Gjermania, ku ndodhej për trajtim mjekësor.
Pas më pak se 24 orë nga kthimi i tij në Rusi, udhëheqësi i opozitës ruse Aleksei Navalni u përball të hënën me një seancë gjyqësore jashtëzakonisht të pazakontë brenda këtij stacioni policor në Moskës dhe u vendos në paraburgim për 30 ditë. Prokurorët kërkuan një dënim me kusht ekzistues të pezulluar, prej tre vitesh e gjysmë për përvetësim, shndërruar në një dënim të plotë me burg. Zoti Navalni thotë se akuzat ndaj tij janë të motivuara politikisht dhe u bëri thirrje mbështetësve të tij të dalin në rrugë.
“Mos heshtni, rezistoni, dilni në rrugë. Askush nuk do të na mbrojë përveç vetes. Dhe ne jemi aq shumë sa që nëse duam të arrijmë diçka, do t’ia arrijmë”, thotë Aleksei Navalni, udhëheqësi i opozitës ruse.
Zoti Navalni u arrestua të dielën pasi u kthye nga Gjermania, ku po trajtohej pas helmimit në Siberi vitin e kaluar me një agjent nervor.
Kremlini e ka mohuar përfshirjen në sulm. Ndërkohë Berlini kërkon lirimin e zotit Navalni.
“Autoritetet ruse kanë arrestuar viktimën e një tentative për vrasje me armë kimike, jo autorin e krimit. Qeveria gjermane i bën thirrje fuqimisht qeverisë ruse që së pari ta lirojë menjëherë zotin Navalni dhe së dyti të hetojë plotësisht rrethanat e sulmit me armë kimike ndaj tij në tokën ruse“, thotë Steffen Seibert, zëdhënës i qeverisë gjermane
Udhëheqësit e tjerë evropianë i bënë jehonë kësaj kërkese. Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut tha se ishte thellësisht e shqetësuar nga arrestimi i zotit Navalni. Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo si dhe këshilltari i ardhshëm për Sigurinë Kombëtare i Presidentit të zgjedhur Joe Biden kanë kërkuar gjithashtu lirimin e tij.
Udhëheqësi 44-vjeçar i partisë “Rusia e së Ardhmes” paraqet një sfidë për Presidentin Vladimir Putin, thotë analisti Ben Noble.
“Me zgjedhjet e Dumës Shtetërore (dhoma e ulët e parlamentit rus) që mbahen më 2021, Navalni jo vetëm që është një demonstrim hapur i kundërshtimit ndaj Kremlinit, por fondacioni i tij i anti-korrupsion dhe videot tejet të shkëlqyera në YouTube me prova për korrupsion të zyrtarëve shtetërorë e anëtarëve të tjerë të elitës ruse, krijojnë shqetësime për Kremlinin. Sigurisht që është një rrezik për Kremlinin që Navalni të kthehet në një martir ose që statusi i tij si martir të konsolidohet“, Ben Noble, analist për Rusinë, University College London.
Deri më tani Perëndimi i ka ndaluar veprimet ndëshkuese ndaj Rusisë. Muajin e kaluar BE-ja u bashkua me aleatët e saj në miratimin e të ashtuquajturit “Akti Magnitsky”, i cili parashikon sanksione ndaj individëve të akuzuar për abuzim me të drejtat e njeriut. Aktivisti Bill Browder, i cili ndihmoi në miratimin e këtij ligji, thotë se është koha që ai të zbatohet.
“Nëse përfshini të gjitha vendet e BE-së, SHBA-në, Kanadanë, Britaninë e Madhe, etj., janë 31 vende. Ndaj kjo gjë do të ketë një efekt shumë të rëndësishëm mbi Rusinë, mbi njerëzit ndaj të cilëve rëndojnë sanksionet. Dhe siç e kuptoj unë, Navalni dhe ekipi i tij, para se të hipnin në aeroplan, kishin krijuar një lloj liste të atyre që ata mendojnë se duhet të jenë në listën e sanksioneve“, thotë Bill Browder, Aktivist për të Drejtat e Njeriut.
Vladimir Putin e sheh këtë si rrezikun më të vogël, argumenton zoti Noble.
“Sipas asaj që unë mendoj Kremlini mund ta përballojë këtë turbullirë afatshkurtër, por kapja e tij (Navalnit), futja e tij në burg do të ishte një mënyrë për ta privuar atë nga ekspozimi në media“, thotë Ben Noble, analist për Rusinë, University College London
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov iu kundërpërgjigj të hënën kritikave për arrestimin e zotit Navalni.
“Politikanët perëndimorë e shohin këtë si një mundësi për të tërhequr vëmendjen nga kriza e thellë në të cilën ndodhet modeli liberal i zhvillimit“, tha ai.
Analistët thonë se veprimet e Rusisë do të përkeqësojnë tensionet me Perëndimin, ndërsa të dyja palët përgatiten për një administratë të re amerikane, që pritet të marrë pushtetin këtë javë nën drejtimin e Presidentit të zgjedhur Joe Biden./ VOA