Osmani: Vaksinat kundër COVID-19, pas prillit

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Osmani: Vaksinat kundër COVID-19, pas prillit

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani thotë se qeveria nuk duhet të arsyetohet për vonesat që janë krijuar sa i përket furnizimit me vaksinat kundër koronavirusit të ri.

Osmani tha se pret që përveç nga vaksinat e programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Kosova të sigurojë vaksina edhe nga disa shtete të Bashkimit Evropian.

“Mendoj që kemi vonesa të cilat nuk do të duhej të arsyetoheshin. Shtetet e tjera të rajonit janë para nesh, prandaj ne duhet të kërkojmë dhe do të kërkojmë përgjegjësi nga qeveria se pse ne nuk jemi të përgatitur dhe pritet që, sipas të gjitha gjasave, vaksinat të vijnë diku tek pas prillit”, tha Osmani për gazetarët, pas vizitës që i bëri Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

“Por, kjo nuk do të thotë se tash nuk janë duke u bërë edhe përpjekje të tjera maksimale në mënyrë që të marrim ndihmën e disa shteteve të Bashkimit Evropian, sidomos nga disa që kanë porositur më shumë vaksina sesa e kanë numrin e popullatës”, theksoi Osmani, duke shtuar se vaksinat nga shtetet e BE-së mund të arrijnë në Kosovë më herët sesa muaji prill i vitit 2021.

Advertisement

Ndërkaq, e pyetur për hyrjen e vaksinave kundër koronavirusit nga Serbia në komunat në veri të Kosovës, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Osmani tha se kjo është shkelje e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga BE-ja.

“Kjo jo vetëm që është shkelje flagrante e marrëveshjeve që janë nënshkruar në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë procesit të dialogut dhe dëshmon se Serbia në atë proces është ushtruese dhe kurrë zbatuese e premtimeve që i jep. Por, në anën tjetër tregon edhe një mungesë përgatitjeje nga ana e institucioneve tona, në mënyrë që të gjithë qytetarët, në çdo cep të Kosovës, përfshirë edhe veriun e vendit, të njoftohen se kur duhet t’i presin ata vaksinat nga institucionet shëndetësore të Kosovës”, tha Osmani.

Më 25 dhjetor, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq njoftoi se në komunat në veri të Kosovës janë dërguar vaksina të prodhuara nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech.

Organet e drejtësisë kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se kanë nisur hetimet për të parë se si kanë hyrë këto doza të vaksinës në Kosovë, pasi më 26 dhjetor, Qeveria e Kosovës tha se nuk është njoftuar zyrtarisht për hyrjen e vaksinave në territorin e Kosovës.

Advertisement

Osmani, e cila njëherësh është edhe kryetare e Kuvendit të Kosovës, tha se Serbia me dërgimin e këtyre vaksinave, po mundohet ta destabilizojë Kosovën.

“Ata kur e përdorin këtë si argument kinse për mbrojtjen e qytetarëve, në fakt po e shfrytëzojnë për destabilizim të situatës së sigurisë dhe destabilizim politik, i cili pastaj mund të ketë pasoja më të mëdha”, tha ajo.

Osmani poashtu falënderojë të gjithë punëtorët shëndetësorë për punën e tyre gjatë pandemisë së koronavirusit dhe tha se kërkesa e tyre ishte që gjatë leximit të dytë të buxhetit për vitin 2021 – që është në rend dite më vonë gjatë së martës – deputetët të kenë si prioritet gjatë vendimeve të tyre sektorin e shëndetësisë.

Ndryshe, ministri në detyrë i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë në fundjavë se Kosova, më 7 dhjetor, ka aplikuar zyrtarisht në programin COVAX, për sigurimin e vaksinës kundër sëmundjes COVID-19. Ai deri më tani nuk ka konfirmuar nëse Kosova po zhvillon negociata me kompanitë Pfizer dhe BioNTech për sigurimin e vaksinës së tyre.

Advertisement

COVAX është program i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili synon shpërndarjen e vaksinës kundër koronavirusit edhe në vende më të varfra.

Ky program, sipas një hulumtimi të Reuters, deri më tani ka krijuar marrëveshje furnizimi jodetyruese me kompanitë, AstraZeneca, Novavax dhe Sanofi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy