Ndërsa kjo e hënë shënon ditën e dytë të vaksinimit në të gjitha vendet e BE, ekspertët bëjnë thirrje që të tregohet kujdes në raportimin e efekteve anësore të mundshme. Agjencia Europiane e Barnave thekson se autorizimi i vaksinës në kushte emergjente kërkon më tepër vigjilencë dhe përditësimi i çdo të dhëne nuk duhet nënvlerësuar.
Ndërkohë, në disa qytete gjermane, gjurmuesit e temperaturës treguan se disa doza të vaksinës mund të mos jenë transportuar në kushtet e duhura frigoriferike. Temperatura në një kuti të ftohtë ishte rritur në 15°C gjatë transportit, duke prekur rreth 1 mijë doza.
Vaksina e kompanive Pfizer dhe BioNtech duhet të ruhet në temperaturat rreth -70 gradë Celsius para se të transportohet në kuti të mbushura me akull të thatë. Pasi të dalë nga temperaturat ultra të ulëta, vaksina duhet të mbahet në 2 deri në 8°C për të qëndruar efektive për rreth pesë ditë.
Britania e Madhe, Zvicra dhe Serbia gjithashtu kanë nisur fushatën e vaksinimit pak ditë më parë. Pas dyshimeve për vaksinimin e popullsisë në veri të Kosovës, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nisur hetimet.
Më 25 dhjetor, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar se në komunat veriore ka filluar vaksinimi kundër koronavirusit, me vaksinën e kompanive Pfizer/BioNTech. Por një ditë më pas, Qeveria në detyrë e Kosovës ka deklaruar se institucionet e vendit nuk kanë patur asnjë komunikim zyrtar me institucionet e Serbisë në lidhje me këtë çështje, as përmes Zyrave Ndërlidhëse, as me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare. Sistemi shëndetësor në komunat me shumicë serbe në Kosovë funksionon brenda sistemit serb.