Pas disa muajsh zvarritje, më në fund parlamenti i Kosovës ia ka dalë të miratojë me 72 vota projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike në kushtet e pandemisë.
Pas dekretimit nga presidentja në detyrë, ligji do të mbetet në fuqi deri më 31 dhjetor të viti të ardhshëm.
Kryeministri Avdullah Hoti, u shpreh se qytetarët dhe bizneset tashmë do ta ndjejnë përkrahjen direkte të qeverisë.
“Jemi plotësisht të përgatitur që të fillojmë zbatimin e këtij ligji menjëherë, pasi që janë bërë përgatitjet nëpër ministri përkatëse, në Trustin e Kursimeve Pensionale, në mënyrë që para vitit të ri, pjesa më e madhe e këtyre fondeve të futen në ekonomi dhe buxhetin e familjes, me shpresë që në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm të shpërndajmë këtë pjesë dhe të kthehemi në normalitet në mesin e vitit të ardhshëm”.
Projektligji parashikon themelimin e një fondi të veçantë, i cili do të shërbejë për t’i paguar të gjithë të punësuarit në sektorin privat, që kanë humbur vendet e tyre të punës si pasojë e pandemisë së koronavirusit.
Po ashtu do të themelohet granti në shumë prej 200 milionë eurosh, për ndihmë direkte financiare bizneseve, të cilat kanë vështirësi funksionimi si rezultat i ndikimit të COVID-19.
Qeveria e Kosovës do të lirojë nga TVSH-ja lëndën e parë, e cila prodhohet nga bizneset kosovare, pavarësisht a eksportohet jashtë vendit apo jo.