Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë të martën se zgjidhja e problemeve në Ballkan është një përgjegjësi e Bashkimit Evropian, dhe se nga kjo varet edhe roli global i BE-së.
“Nëse nuk mund të zgjidhim problemet në Ballkan atëherë si mund të jemi aktor i rëndësishëm global”, ka thënë Borell.
Ai i bëri komentet në një debat kushtuar dhjetëvjetorit të krijimit të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së, një lloj shërbimi i përbashkët diplomatik evropian, ku morën pjesë edhe dy paraardhës të tij, Javier Solana dhe Federica Mogherini.
Borrell foli për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe përsëriti se ky problem duhet të zgjidhet në kuadër të perspektivës evropiane. Në anën tjetër, ai mirëpriti edhe gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar në këtë proces.
“Na vjen mirë që SHBA-të duan të ndihmojnë, por është BE-ja ajo që udhëheq këtë proces. Vetëm BE mund të paraqesë ofertën e rëndësishme për njerëzit atje dhe ajo është perspektiva evropiane. Në kuadër të kësaj perspektive duhet të zgjidhet problemi”, ka thënë Borell.
Ai edhe një herë ka shprehur kënaqësinë për rifillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që në fillim të mandatit të tij.
Javier Solana, ish-sekretar i përgjithshëm i NATO-s dhe përfaqësuesi i parë i lartë i BE-së prej kur është krijuar ky post, ka thënë se problemi mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhet përmes dialogut, por edhe duke i ofruar një rrugë më të shpejtë Serbisë drejt BE-së. Këtë Solana e ka lidhur edhe me ndikimin e Rusisë në rajon e sidomos në Serbi.
Pas një ndërprerjeje prej më shumë se 20 muajsh, procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, rinisi më 16 korrik të vitit 2020.
Në takimin e parë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u tha se biseduan për çështjen e të pagjeturve, të zhvendosurve dhe për çështjet ekonomike.
Hoti dhe Vuçiq, po ashtu janë takuar edhe në muajin shtator. Por, që atëherë nuk ka pasur më raunde të reja të bisedimeve në nivelin e lartë dhe BE-ja ka thënë se bisedimet do të rinisin pasi të lejojnë kushtet, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
BE-ja mohon se kjo ndërprerje e bisedimeve është bërë për shkak të çështjes së krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pala kosovare ka thënë se në dialog nuk do të bisedojë për këtë temë, ndërkaq Serbia insiston që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka nisur më 2011. Ky proces thuhet se ka për qëllim që në fund, palët të normalizojnë raportet.
Procesi i dialogu ishte ndërprerë në fund të vitit 2018, për shkak të një takse që Qeveria e Kosovës vendosi ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, që u pasua nga masa të reciprocitetit. Por, me të marrë detyrën, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti hoqi reciprocitetin, për t’i dhënë shans rinisjes së bisedimeve./ Rel