Odat Ekonomike të Maqedonisë i vlerësojnë si joreale projektimet buxhetore për vitin 2021

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Qeveria ka miratuar buxhetin për vitin 2021, por odat ekonomike të Maqedonisë së Veriut, thonë se projektimet janë joreale në kohën kur vendi dhe e gjitha bota po përballen me pasoja të rënda nga pandemia e koronavirusit.

Propozim- buxheti për vitin e ardhshëm është paraparë të jetë në mbi 4 miliardë euro. Nga tatimet dhe të ardhurat tjera është planifikuar të mblidhen 3.4 miliardë euro, ndërsa pjesa tjetër prej rreth 500 milionë euro nga privatizimi i tokës dhe ndërmarrjeve shtetërore.

“Shumë nga masat nuk mund të realizohen në praktikë. Më brengosëse në këtë projekt-buxhet janë pritjet e qeverisë për sigurimin e të hyrave në buxhet prej 3.5 miliardë euro. Ne mendojmë se këto pritje janë joreale, pasi në kohën kur pandemia ende nuk ka përfunduar, në situatën kur aktiviteti ekonomik është ngadalësuar, si në aspekt të konsumit, të eksportit të sendeve apo shërbimeve që është ulur në minus 32 për qind, sikur dhe importi në minus 30 për qind, është pikëpyetje se si mund të arrihen të hyrat prej 3.5 miliardë euro”, thotë Drilon Iseni nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.

Lidhja e Odave Ekonomike e Maqedonisë së Veriut vlerëson nevojën që përveç mbështetjes për shëndetësinë dhe aspektet tjera sociale të kategoritë e rrezikuara nga pandemia, të mos lihen anash as sektorët e tjerë që do të kenë nevojë për mbështetje financiare.

Advertisement

Kryetarja e Odës, Danela Arsovska në profilin zyrtar në Facebook, ka theksuar nevojën urgjente për zbatimin masave nga Pakoja e katërt e ndihmës ekonomike, sepse siç thotë ajo, optimizmi i qytetarëve dhe ekonomisë është zvogëluar.

“Viti i ardhshëm duhet të jetë një vit i përballjes me ekonominë informale dhe korrupsionin, vit i eliminimit të atyre subjekteve që punojnë të paregjistruar dhe fitojnë miliona pa dhënë asnjë qindarkë në buxhetin e shtetit”, ka theksuar Arsovska.

Pjesa më e madhe e parave, gati 1.5 miliard euro, janë paraparë për mbrojtjen sociale, pastaj për çështjet ekonomike 1.14 miliard euro, 600 milionë euro për shëndetësinë, 465 milionë euro për arsimin, për rendin publik janë siguruar 280 milionë euro, 161 milionë euro për mbrojtjen dhe 23 milionë euro për mjedisin. Shuma të larta për investime kapitale janë planifikuar edhe për vitin e ardhshëm, edhe pse prej vitesh ato nuk janë realizuar as afër asaj që ishte planifikuar. Për vitin 2021, investimet kapitale janë parashikuar në 373 milionë euro.

“Ndodhemi në kulmin e krizës më të madhe ekonomike botërore, periudhë kjo përplot me sfida. Me gjasë të madhe vitin e ardhshëm do të ketë nevojë edhe për një rishikim të buxhetit. Megjithatë projektimet dhe planifikimet janë bazë për menaxhimin e mirë të parave publike dhe mbështetjen e politikave tona. Është kohë e vendimeve të rënda dhe të rëndësishme për të ardhmen tonë, por ne jemi të vendosur që ato vendimet të jeni në funksion të përballjes me pandeminë dhe që të kemi pasoja sa më të vogla në ekonomi”, ka deklaruar ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Advertisement

Për shkak të paraqitjes së pandemisë, buxheti i vitit 2020 prej afër 4 miliardë euro, tre herë ka pësuar ndryshime, duke i destinuar paratë kryesisht në ndihmë të kompanive të goditura nga kriza ekonomike, por edhe kategorive të ndryshme të qytetarëve. Në Maqedoni të Veriut janë miratuar katër pako ekonomike financiare në vlerë prej mbi 1 miliard euro, ndërkohë që projektimet tjera fare pak janë realizuar, në veçanti investimet kapitale./REL/

The post Odat Ekonomike të Maqedonisë i vlerësojnë si joreale projektimet buxhetore për vitin 2021 appeared first on Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy