OBRM-PDUKM-ja nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme lokale në Shtip dhe Pllasnicë. Lajmin e ka bërë të ditur vetë kreu opozitar Hristijan Mickoski, duke shtuar se asnjë karrierë politike, aq më pak ajo e Zaevit dhe Boçvarskit, nuk është më e rëndësishme se sa shëndeti i qytetarëve.
Zëdhënësi i OBRM-PDUKM-së, Dimçe Arsovski, pohon se LSDM dhe BDI kanë mbetur të vetmuara në përpjekjet për mbajtje të zgjedhjeve, në kohë kur sipas tij, çdo njeri normal do të ishte për shtyrje të të njëjtave.
“Në qeveri nuk e marrin aq seriozisht situatën për arsyen e vetme sepse kanë arsye plus që ta turbullojnë opinionin me zgjedhje, e ta heqin vëmendjen nga gjithçka tjetër, përfshirë bllokadën nga ana bullgare për procesin eurointegrues”, deklaroi Dimçe Arsovski – zëdhënës i OBRM-PDUKM-së.
Në mesnatë skadon afati për dorëzimin në KSHZ të emrave të kandidatëve për zgjedhjet e parakohshme lokale në Shtip dhe Pllasnicë. Me ose pa kandidat të opozitës, zgjedhjet në këto dy komuna do të mbahen. Zëdhënësi i Komisionit të Zgjedhjeve sqaron për “TV21” se sipas Kodit zgjedhor dhe kalendarit të afateve, pas mbarimit të afatit për dorëzimin e kandidaturave, procedurat do të vazhdojnë më tej, pa marrë parasysh se sa kandidatura do të ketë.
“KSHZ do të veprojë në bazë të kompetencave të veta duke i respektuar të gjitha afatet që rrjedhin sipas vendimit për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar komune në Shtip dhe Pllasnicë, më datë 13 dhjetor 2020, të sjellë nga Kryetari i Kuvendit”, u shpreh Admir Shabani – zëdhënës i KSHZ-së.
Ditë më parë edhe opozita shqiptare kërkoi që zgjedhjet të shtyhen për shkak të pandemisë. Nga BDI thanë se kërkesa e opozitës së bashkuar Aleanca-Alternativa-OBRM-PDUKM për mosmbajtje të zgjedhjeve janë në funksion të evitimit të humbjes së radhës dhe bartjes së përgjegjësisë për humbjet. LSDM siguron që zgjedhjet do të mbahen sipas protokolleve për mbrojtje nga COVID-19.
“Po! Në përputhje me të gjitha protokollet dhe masat për mbrojtje të shëndetit dhe do të jenë 100% të sigurta”, theksoi Kostadin Kostadinov nga LSDM.
Mospjesëmarrja e opozitës në zgjedhje në këto dy komuna, ua lë të lirë terrenin dy partive në pushtet, LSDM-së dhe BDI-së. Socialdemokratët që kanë drejtuar me Shtipin, për kandidat do të kenë Sashko Nikollovin, ndërkaq Trajçe Mitev është kandidati i pavarur. Në Pllasnicën e udhëhequr nga BDI-ja, kandidat i integristëve do të jetë Alja Jaoski. Në rast se zgjidhen, ata do të jenë kryetarë për vetëm rreth 10 muaj, sepse zgjedhjet e rregullta lokale duhet të mbahen në vjeshtë të vitit 2021./TV21/
The post Zgjedhjet në Shtip dhe Pllasnicë! Opozita bojkoton appeared first on Telegrafi.