Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ai dhe Zonja e Parë, Melania, kanë dalë pozitivë në testin për koronavirus.
“Sonte, unë dhe Zonja e Parë kemi dalë pozitivë me COVID-19 . Do të nisim karantinën dhe procesin e shërimit menjëherë. Do t’ia dalim bashkë”, shkroi Trump në Twitter, në orët e para të së premtes, sipas kohës lokale.
Mjeku i tij, Sean Conley, tha se presidenti dhe Zonja e Parë janë “mirë aktualisht” dhe se “ata planifikojnë të qëndrojnë në shtëpi, brenda Shtëpisë së Bardhë, gjatë rimëkëmbjes së tyre”.
“Pres që presidenti të vazhdojë t’i kryejë detyrat e tij pa ndërprerje gjatë rikuperimit dhe unë do t’ju mbaj të informuar për çdo zhvillim në të ardhmen,” tha Conley.
Është e paqartë se çfarë simptomash kanë – nëse kanë – presidenti dhe gruaja e tij.
Disa orë më herët, Trump tha se do të nisë “procesin e karantinës”, pasi një ndihmëse e afërt e tij rezultoi pozitive në testin për koronavirus.
Hope Hicks, këshilltare e presidentit, u diagnostikua më 1 tetor, pas disa udhëtimeve me presidentin këtë javë.
Trump njoftoi në një tjetër postim në Twitter se ai dhe Zonja e Parë janë duke pritur rezultatet e tyre të testit dhe se do të hyjnë në karantinë.
“Hope Hicks, e cila ka punuar shumë, pa bërë asnjë pushim të vogël, sapo ka dalë pozitive me COVID-19. E tmerrshme! Zonja e Parë dhe unë jemi duke pritur rezultatet e testit tonë. Ndërkohë, ne do të nisim procesin e karantinës”, shkroi Trump.
Hicks udhëtoi me presidentin në avionin Air Force One për debatin e parë presidencial, në Kllivllend, më 29 shtator, dhe me helikopterin e presidentit Marine One, për një tubim në Minesota, më 30 shtator.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Judd Deere, tha përmes një deklarate se presidenti “e merr shumë seriozisht shëndetin dhe sigurinë e vetes dhe të të gjithëve që punojnë në mbështetje të tij dhe të popullit amerikan”./R.E.L
The post Presidenti Trump dhe gruaja e tij infektohen me koronavirus appeared first on Vizion Plus.