Kompanitë e mediave sociale po heqin video dhe imazhe që sipas një raporti të ri nga organizata Human Rights Watch mund të jenë jetike në ndjekjen penale të krimeve të rënda. Facebook, YouTube dhe Twitter përmes formulave algoritmike të Inteligjencës Artificiale për heqin video që konsiderohen të papërshtatshme ose të paligjshme. Organizata Human Rights Watch thotë se prova që mund të jenë jetike, janë duke humbur ose shkatërruar.
Ky është sistemi rus nga u lëshua raketa, që prokurorët thonë se u shkaktoi rrëzimin e avionit të kompanisë “Malaysian Airlines” MH17 në vitin 2014.
Videot u grumbulluan nga faqet e mediave sociale nga organizata Bellingcat – provat e së cilës u përdorën nga një ekip shumëkombësh që drejtoi hetimet. Rusia mohon përgjegjësinë, përcjell Zëri i Amerikës.
“Ajo që dimë nga Bellingcat është se në fazat e mëvonshme të hetimit, ata u kthyen për të parë burimet, disa nga postimet e mediave sociale që ata do të kishin përdorur për të mbështetur hetimet e tyre, në mënyrë që t’ua paraqisnin ato autoriteteve gjyqësore në Holandë. Por vunë se ato ishin hequr”, thotë Belkis Wille me organizatën Human Rights Watch.
Provat nga mediat sociale luajnë një rol qendror në shumë hetime, si këto video të zbuluara nga Amnesty International që pretendojnë se tregojnë abuzime të kryera nga ushtria nigeriane gjatë ofensivës së saj kundër grupit terrorist Boko Haram. Në raportin e saj të ri – të titulluar ‘Video të Padisponueshme’ – Human Rights Watch paralajmëron se provat jetësore po fshihen.
“Ajo që kemi filluar të vërejmë vitet e fundit, veçanërisht që nga viti 2017, është se ne mund të shohim një video ku le të themi ushtarë ekzekutojnë dikë, ose një video propagandistike të ISIS-it, dhe nëse pesëmbëdhjetë minuta ose një orë më vonë do të ktheheshim për të parë përsëri videon, ajo është zhdukur papritur”, thotë Belkis Wille.
Kompanitë e mediave sociale i thanë organizatës Human Rights Watch se atyre u kërkohet me ligj të heqin materiale që mund të jenë ofenduese ose që nxisin terror, dhunë ose urrejtje. Ashtu si moderatorët njerëzorë, shumë përdorin gjithashtu algoritme të inteligjencës artificiale për të fshirë materialet.
“Në ditët e sotme këto algoritme janë aq të efektshme saqë po heqin përmbajtjen brenda një minute të postimit. Kështu që, asnjë përdorues nuk arrin ta shoh përmbajtjen para se ajo të hiqet”, thotë Belkis Wille.
Kjo përfshin agjencitë e zbatimit të ligjit që ndjekin dënimet penale. Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhrin e saj të parë të arrestimit në 2017 bazuar kryesisht në provat e mbledhura nga mediat sociale, për komandantin libian Mahmoud Al-Werfalli, i akuzuar për vrasjen e disa robërve të luftës.
Grupet e shoqërisë civile si Arkivi i Sirisë po përdorin videot në mediat sociale për të dokumentuar krime të mundshme të luftës – përfshirë përdorimin e armëve kimike.
“Ajo që po kërkojmë është krijimi i një lloj mekanizmi global, një lloj arkivi apo biblioteke”, thotë Belkis Wille.
Human Rights Watch thotë se është në dialog me kompanitë e mediave sociale për krijimin e një arkivi të tillë. Twitter tha se nuk është në gjendje t’u sigurojë organizatave të shoqërisë civile qasje në përmbajtjen e përdoruesve pa një urdhër të duhur ligjor. Facebook-u dhe YouTube nuk iu përgjigjën kërkesave të Zërit të Amerikës për komente deri në momentin e këtij publikimi.