Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, tha se nëse Joe Biden zgjidhet president në zgjedhjet e nëntorit, në qytetet amerikane do të përhapet dhuna.
“E vërteta është se ju nuk do të jeni të sigurt në Amerikën e Joe Bidenit”, tha Pence gjatë fjalimit në Konventën e Partisë Republikane.
Ai i përshkroi votimet e ardhshme si zgjedhje midis ligjit dhe rendit në njërën anë dhe paligjshmërisë në anën tjetër.
Komentet vijnë derisa në Uiskonsin të SHBA-së vazhdojnë protestat e dhunshme, tash e katër net, për shkak të të shtënave të policisë kundër një afrikano-amerikani.
“Presidenti [Donald] Trump dhe unë do të mbështesim gjithmonë të drejtën e amerikanëve për të protestuar në mënyrë paqësore, por trazirat dhe plaçkitjet nuk janë protesta paqësore”, tha Pence.
Fitorja Trump-Pence do të nënkuptonte “rend në rrugët e këtij vendi për çdo amerikan të çdo race, besimi dhe ngjyre”, tha ai.
Pence shtoi se dhuna në Kenosha të Usikonsinit, shtet që Trumpi mezi e ka fituar në zgjedhjet e vitit 2016, dhe qytete të tjera “duhet të ndalojë”.
Në disa qytete të SHBA-së këtë verë ka pasur protesta kundër racizmit, të cilat kanë nisur qysh në fund të majit, kur afrikano-amerikani, George Floyd, ka vdekur në duart e policisë.
Në zgjedhjet e nëntorit në SHBA do të përballen presidenti aktual, Donald Trump, i cili vjen nga Partia Republikane, dhe ish-nënpresidenti Joe Biden, i cili vjen nga Partia Demokratike./ REL
The post Pence: Nuk do të jeni të sigurt në Amerikën e Joe Bidenit appeared first on Vizion Plus.