Në gjykimin e sotëm ekspertiza e telefonave të të pandehurve për ndërhyrjen në parlament më 27 Prill, u kundërshtua nga avokatët mbrojtës. Ndër të dhënat e konfiskuara të porositësve të akuzuar për 27 prillin, janë mesazhet nga kryetari i atëhershëm i Kuvendit Trajko Veljanoski dhe ish-deputeti Kërsto Mukoski. Sipas mbrojtjes, ekspertiza e Ministrisë së Brendshme nuk mund të jetë dëshmi në gjykatë nëse në të kanë punuar persona që nuk kanë licencë për këtë gjë. Këtë e konfirmuan edhe vetë ata duke thënë se pas kërkesës për ekspertizë nga Prokuroria për ndjekje të Krimit të Organizuar, ata u përgjigjën me analiza, por jo me ekspertizë. Sipas Milanovit, as Ministria e Brendshme nuk ka licencë për ekspertizë.
“Çdo subjekt juridik dhe çdo ekspert individual, që mund të paraqitet para gjykatave sipas Ligjit për ekspertizë, duhet të ketë një licencë të lëshuar nga Ministria e Drejtësisë. Dhe nëse e ndoqët, dëshmitari i fundit tha që ata kishin filluar procedurë. Pse? Nëse nuk është e nevojshme dhe nëse nuk është detyrim ligjor- deklaroi ELENKO MILANOV, AVOKAT.
Të njëjtat dëshmi që tani mbrojtja i konteston, Prokuroria i paraqiti në procesin paraprak gjyqësor për 27 prillin, atëherë kur gjykata dënoi gjithsej me 211 vjet burg 16 të pandehur. Përveç Veljanoskit dhe Mukoskit, në bankën e të akuzuarve janë ulur edhe ish ministrat Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski, si dhe ish drejtori i DSK-së, Vladimir Atanasovski, Në këtë rast, Prokuroria nuk kërkoi gjykim për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski dhe ish-agjentin Nikolla Boshkoski, pasi ata ikën nga vendi./Alsat/
The post Rasti “27 prilli”, avokatët kontestojnë ekspertizën appeared first on Telegrafi.